It looks like you're offline.
Open Library logo
additional options menu
Last edited by Open Library Bot
April 12, 2010 | History

Dilaver I. Kurti

Kontribut me vlera në studimin e kulturës ilire dhe mesjetare të Matit

Dilaver Kurti u lind më 19 tetor 1934 në Burrel, në gjirin e një familje autoktone burrelase. Kur u lind ai, i ati, Ibrahimi, ishte oficer dhe shërbente në Dibër dhe Elbasan, në radhët e ushtrisë mbretërore shqiptare.
Qysh herët në fëmijëri, te Dilaveri i vogël, i mëkuar me dashurinë dhe krenarinë për vendlindjen, u zgjuan interesa të veçanta për të njohur natyrën dhe historinë e të parëve të tij. Asokohe ishte luftë dhe në kushtet e një fëmijërie të trazuar, ai mezi mundi të mbaronte shkollën fillore. Por interesat e tij për dije dhe kulturë ishin më të gjera dhe më të avancuara. Ndërkaq Shqipëria u çlirua dhe në fund të viteve ’40 e fillim të viteve ’50 shkoi për të vazhduar shkollën 7-vjeçare në Klos dhe Lis, sepse në Burrel ende s’qe hapur një e tillë. Mbaroi këtë cikël me rezultate të shkëlqyera, duke u cilësuar ndër nxënësit më të dalluar në Mat në atë kohë. Por në këtë kohë, Dilaver Kurti, i ri dhe energjik e me një dëshirë të pakufishme për arsim, nuk mundi të vazhdojë shkollën e mesme dhe kjo ndodhi për arsyen se familja, jo vetëm që nuk ishte në gjendje ta mbante për të vazhduar shkollën gjetkë, por mezi kishte pritur që ai të punonte. Kështu u detyrua të fillonte punë si llogaritar pranë ndërmarrjes së Grumbullimit në Burrel dhe vetëm në vitet ‘60 vazhdoi shkollën e mesme të arsimit të përgjithshëm pa shkëputje nga puna.
Është për t’u theksuar se qysh në rininë e hershme filloi të shkruante dhe të mbante ditar. Në këto shkrime të para, të viteve ‘50 dhe të fillimit të viteve ‘60, të ruajtura prej tij me kujdes e fanatizëm, të bien menjëherë në sy prirjet e tij intelektuale dhe për një punë krijuese.
Pas mbarimit të shkollës së mesme, deri në vitin 1967, Dilaver Kurti, punoi sekretar në prokurorinë e rrethit të Matit. Gjatë këtij harku kohor punoi pareshtur për të grumbulluar nga goja e popullit dukuri folklorike dhe etnografike, pjesë të së drejtës zakonore dhe shumë objekte arkeologjike, duke lëvizur në kohën e lirë nga njëra anë e krahinës së Matit, në tjetrën. Gjithashtu në këto vite ai bëri sprovat e para për t’u marrë me studime historike mbi bazën e atyre materialeve, që kishte grumbulluar.
Në vitin 1967 me nisiativën e tij u hap dhe filloi nga puna biblioteka e parë në Mat dhe ai u bë punonjësi i parë i saj, ku punoi gjer në vitin 1969. Ju desh të përballonte një punë të madhe si themelues i këtij institucioni dhe brenda një kohe të shkurtër kjo bibliotekë mori frymën e saj të plotë, ku përveç se kishte dorëzuar gjithë librat e tij, kishte arritur të tërhiqte pas vetes edhe plot të tjerë që i dhuronin bibliotekës libra falas.
Në fund të vitit 1969 e shohim në krye të përpjekjeve për të ngritur një muze historik në Mat. Sigurisht që ishte grumbulluar një material i madh dhe e gjitha kjo ishte frut i punës së palodhur të Dilaver Kurtit. Pas hapjes së muzeut nuk munguan edhe vërejtjet ndaj tij, sepse aty mungonte historia e partisë-pushtet dhe për këtë u kërcënua për heqje nga detyra e drejtuesit të muzeut, nga pushtetarët e asaj kohe, të cilët as që e kuptonin se çdo të thoshte muze. Dilaver Kurti ishte kundër të gjithë atyre makinacioneve, që bëheshin për të hedhur baltë mbi njerëzit e ndershëm, që ai i donte me shpirt dhe gjendej përkrah tyre me atë dashamirësinë e njeriut, që atë që don për vete e don edhe për të tjerët dhe atë që s’e dëshiron për vete, s’e dëshiron as për të tjerët.
Veprimtaria kërkimore shkencore e Dilaver Kurtit u konsolidua në fillim të viteve ‘70, duke qenë njëkohësisht bashkëpunëtor i jashtëm i sektorit të etnografisë, i sektorit të arkeologjisë, i sektorit të historisë së mesjetës pranë Institutit të Historisë dhe i Institutit të Monumenteve të Kulturës. Sikurse shihet, ai ishte njëkohësisht arkeolog, etnolog dhe historian, i veçantë në llojin e tij, duke pasur parasysh faktin që hapësira gjeografike e kërkimeve të tij është lugina e Matit dhe kurora e maleve përreth saj.
Ai si arkeolog bëri gërmime kryesisht në kodërvarrezat tumulare dhe në vendbanimet shpellore. Ishte si të thuash një arkeolog empirik, sepse për këtë nuk kishte bërë ndonjë shkollë, por shumë shpejt ai mundi të përvetësonte teknikat e gërmimit dhe të punonte me një disiplinë të rreptë shkencore. Në vitet ’80, i impresoinuar nga puna e tij e palodhur në kërkim të historisë, më lindi frymëzimi për të shkruar këto vargje:
Diku një shpatë, diku një heshtë,
një vendbanim a varr pirusti,
si sizmograf që prek tërmetet
ato i prek Dilaver Kurti.

Ai s’e njohu kurrë Shlìmanin
dhe nuk ka qenë kurrë në Trojë,
megjithatë ai rroku kazmën,
që historinë ta gërmojë.
Nga gërmimet e ndërmarra prej tij në Mat është përfituar një material i pasur arkeologjik dhe me shumë objekte unikale, që kanë hyrë në fondin e artë të arkeologjisë kombëtare, dëshmi të gjalla autoktone në historinë e lashtësisë. Studimet e tij në fushën e arkeologjisë i botoi te revista shkencore “ILIRIA” organ i Institutit të Arkeologjisë pranë Akademisë së Shkencave.
Si etnolog, gjurmoi shumë dukuri etnografike, brenda kornizave të mjedisit shoqëror e gjeografik të krahinës së Matit. Materiali i mbledhur ka vlera të padisku-tueshme dhe Dilaver Kurti ka meritën e madhe që e mblodhi me aq kujdes e përkushtim, duke mos lënë të mbulohet nga pluhuri i harresës. Këto materiale herë pas here ai i ka botuar në revistat “MONUMENTET” dhe “ETNOGRAFIA”, organe të Institutit të Monumenteve dhe Kulturës Popullore, pranë Akademisë së Shkencave.
Dilaver Kurti doli dhe u afirmua si historian qysh në fillim të viteve ’70, duke u bërë njëkohësisht bashkëpunëtor i famshëm i tre institutive kërkimore shkencore, ndërsa në vitin 1980 mbaroi me korrespondencë studimet e larta për Histori-Gjeografi, pranë Universitetit të Tiranës. Ai me studimet e tij dëshmon me kompetencë për historinë duke sjellë dëshmi të forta lëndore dhe dokumentare dhe çuditërisht të bind me ato që thotë. Vepra e tij është një mesazh solem që e vërteta të mos harrohet, që historia të mos deformohet, por të shkoqitet mirë dhe të kuptohet.
Dilaver Kurti u nda prej nesh duke u gdhirë 28 nëntori i 1998-ës, në moshën 64-vjeçare. Për një njeri kjo është pak, po të marrim parasysh dëshirën që ushqejmë dhe urimin, që bëjmë për jetën njerëzore që duam.
Njerëz të fushës së studimeve, arkeologë, etnologë, shkrimtarë e poetë, pas vdekjes së tij kanë shprehur mendime dhe konsiderata për punën afër 35-vjeçare të tij.
Arkeologu, prof. Selim ISLAMI, ndër të parët në zbulimin e kulturës ilire të Matit, ka thënë: “Dilaver Kurti ishte një nga bashkëpunëtorët shkencorë më aktivë dhe më të sukseshëm të arkeologjisë sonë të viteve ’60-’80-të. Me kërkimet dhe studimet e tij mbi kulturën ilire të luginës së Matit, ai zë një vend të nderuar midis studiuesve tanë të lashtësisë. Duke iu përkushtuar kësaj pune me shumë pasion dhe seriozitet, Dilaver Kurti i siguroi vetes një sukses të admirueshëm.
Humbja e tij e parakohshme ka krijuar një boshllëk të ndjeshëm në fushën e kërkimeve që ai mbulonte.”
Arkeologu, prof. Frano PRENDI, edhe ky me kontribute të hershme në zbulimin e kulturës ilire të Matit kujton: “Me kërkimet e tij shumëvjeçare arkeologjike në zonën e Matit dhe në mënyrë të veçantë në varrezat tumulare të Burrelit, Dilaver Kurti ka dhënë një kontribut të vyer në zbulimin dhe studimin e kulturës ilire të kësaj treve me tradita të shquara historiko-kulturore dhe etnografike, evidentimit dhe studimit të të cilave Dilaveri gjithashtu i kushtoi një vëmendje dhe gjurmim të apasionuar. Ai ishte një nga bashkëpunëtorët e jashtëm shkencorë më aktivë dhe produktivë të Institutit të Arkeologjisë.”
Arkeologia prof. as. dr. Zhaneta ANDREA, pjestare e grupit të arkeologëve që bënë zbulime në vemdbanimin shpellor të Laç-Bruçit në parathënien e librit “Trashëgime Iliro-arbërore” shkruan: “Duke kombinuar për vite me radhë punën muzeale me punën gjurmuese kërkimore në terren, si pjesëmarrës dhe drejtues i një varg ekspeditash arkeologjike në varrezat tumulare të trevës së Matit, ai ka sjellë një kontribut me shumë vlerë për studimin e kulturës ilire dhe asaj mesjetare të kësaj treve, që përfaqëson një nga zonat më të rëndësishme për gjurmimin dhe studimin e kulturës ilire në vendin tonë. Te Dilaver Kurti ishin të mishëruara cilësitë më të mira njerëzore.”
Arkeologu prof. Myzafer Korkuti në një dokumentar televiziv kushtuar studiuesit matjan, Dilaver Kurti, është shprehur: “Nderi dhe kontributi i tij që ka dhënë në fushën e zbulimimeve të kulturës ilire të gërmimeve në tumat e Burrelit, Komsisë, Suçit etj, ka një vlerë sepse nëpërmjet dhjetra tumave e qindra varreve u grumbullua një inventar shumë i pasur, i cili zgjeroi shumë njohjen tonë për Kulturën e Matit. Dilaveri s’ishte vetëm gërmues, ai e çoi deri në fund punën e vet për t’a botuar, për t’i bërë të njohura. Në radhë të parë ato i botoi në revistën “ILIRIA”, në organin themelor të Institutit të Arkeologjisë dhe nëpërmjet saj u bënë të njohura në arenën ndërkombëtare. Shumë nga ata që duan të studiojnë e të merren me kulturën ilire të grupimit të madh kulturor Mat-Glasinac, duhet t’i referohen gërmimeve e studimeve të Dilaverit. Në këtë drejtim kontributi i tij është i pazëvendësueshëm.”
Në kujtesën e arkeologut prof. dr. Bep Jubani, “…mbetet si një njeri shumë i pëlqyeshëm për shoqërim me të tjerët, sepse ka qenë shumë korrekt dhe i përkushtuar tërësisht punës. Pasioni për arkeologjinë e rrëmbeu duke iu kushtuar më shumë studimit të kulturës ilire të vendlindjes së tij, krahinës së Matit. Gërmimet në tumat e Matit kanë filluar shumë herët nga Instituti i Arkeologjisë, megjithatë mund të them pa e zmadhuar, se kultura ilire e Matit, një ndër kryesoret në Shqipëri, sot njihet kryesisht nga botimet dhe rezultatet fushore të mikut tonë, Dilaver Kurti. Kam punuar me Dilaverin në dy ekspedita arkeologjike: në Çinamak e Xibër dhe aty kam pasur mundësi të dalloj tek ai cilësi mjaft të mira të një punonjësi shkencor të heshtur e të palodhur në punë, vrojtues i vëmendshëm i prirur gjithnjë për të zgjeruar njohuritë e tij metodike e shkencore.”
Në konsideratën e etnologut, prof. dr. Mark Tirta, “…Dilaver Kurti është studiuesi më në zë i etno-kulturës së krahinës së Matit, që nga lashtësia e deri në kohët e vona. Ai bëri kërkime të kërthnezta në fushën e arkeologjisë, etnologjisë, folklorit e historisë. Synoi me pasion atdhetari të zjarrtë për të nxjerrë në dritë vlerat etno-kulturore të krahinës. Qe një muzeolog i përkushtuar. Muzeologjia e Matit, ruajtja e popullarizimi i pasurive kulturore, monumenteve historike e etnologjike të Matit, i detyrohen shumë eksplorimeve e shkrimeve të Dilaver Kurtit. Puna e tij prej pionieri në kërkime, studime e botime është shembull për pasardhësit, është punë e pavdekshme.”
Etnologia, prof. as. dr. Afërdita Onuzi, në një emision televiziv theksoi: “…Dilaver Kurti instistonte për të njohur deri në detaje çdo fenomen, jo vetëm në gjurmimet në terren, por edhe në njohjen e literaturës. Ai ishte i interesuar për çdo gjë që botohej. Ndarja nga jeta e Dilaverit është një humbje e madhe për shkencën shqiptare, por kjo humbje minimizohet në kuptimin se ai nuk ka ikur pa lënë gjurmë. Ne kemi shumë punë të tij të botuara, me sa jam në dijeni ka edhe shumë materiale në familjen e tij, për të cilat uroj që të gjejnë dritën e botimit.”
Poeti Basir Bushkashi në pasthënien e librit “Shënime Etnografike nëpër Mat” ka shkruar: “Dilaver Kurti me gjurmimet, zbulimet dhe studimet e tij serioze, kryesisht në Mat, sidomos për trashëgiminë kulturore iliro-arbërore, hodhi një dritë të re dhe tha një fjalë të pa thënë më parë, përmes argumenteve bindëse shkencore, duke pasuruar fushën e studimeve në shkallë vendi e më tej. Veçojmë dhjetra tituj të botuar në revistat shkencore “Iliria”, “Monumentet”, “Etnografia”, “Studime Historike” etj, ku një pjesë prej tyre janë përfshirë në veprën “Trashëgime iliro-arbërore” botuar më 1999. Ai mbetet prijëtori i parë në fushën e studimeve në Mat, njeri me zell të rrallë dhe interesa të gjera shkencore, pasionant e poetik, i cili la pas një vepër të admirueshme studimore, ku studiuesit e rinj do të mëkohen prej saj. Në të vërtetë ai ishte profesor në këtë fushë, paçka se zyrtarisht ky titull nuk iu ofrua. Po tek e fundit e ç’vlen titulli kur vepra e tij rrezaton e dëshmon më së miri madhështinë e një pune të vyer për sot dhe nesër. Këshilli bashkiak i qytetit të Burrelit e ka nderuar duke e shpallur “Qytetar Nderi” dhe një rruge kryesore në Burrel i është dhënë emri i tij.
Dilaver Kurti rron. Më në fund ka fituar përjetësinë.”
Bashkëpunimi i kantautorit Esat Ruka me poetin Gjokë Beci ishte kënga kushtuar Dilaver Kurtit:

“Tri mijë vjet nën dhè, Iliria thërret.
Përkrenare dhe stoli heshtin në lashtësi.
O matjan krenar, zemër bardhë!
Heshtjen ti e zgjon, Matin e nderon.

Një grusht dhè n’shuplakë,
sa herë t’u ndez flakë.
I tha shpirtit atdhetar: Jam barut i thatë
dhe për shqiptarinë ndizem flakë.

Dinga dhe barot, guna e shqipe plot.
Nxjerr nga dheu Mati i lashtë,
siç nxjerr syri lot.
Kulla e bardhë në Kryemat ndrin më fort.

Dilaver, o vëlla, syri larg të pa.
Si një dhëndër lashtësie
Budi del e të pret, të përshëndet.
Ku je mendjeurti, o Dilaver Kurti!
Shekujt vijnë e shekujt shkojnë,
për ty do të ligjërojnë”.

Portreti krijues i këtij personaliteti të trevës sonë është pasqyruar në disa botime periodike dhe publicistike, si në gazetën e pavarur “Mati”, librin publicistik “Panoramë matjane” të autorit Hamdi Hysuka, monografinë “Mirënjohje për njerëzit e ikur” të Bashkim e Petrit Frangut etj. Në qershor të vitit 2006, nga intelektualë matjanë, artistë, shkrimtarë dhe historianë, u krijua Shoqata Historike, Kulturore “Dilaver Kurti”, për nder të këtij studiuesi i cili pothajse 35 vjet nga jeta e tij ia kushtoi punës për evidencimin e vlerave historike e kulturore të trevës së Matit. Anëtarësia e kësaj shoqata janë persona me kontribute në evidencimin e trashëgimisë sonë kulturore. Ata synojnë të evidencojnë figurat historike të Matit e më gjerë, të nxisin talente të reja për të kontribuar në ruajtjen dhe kultivimin e vlerave kulturore të kësaj treve. Organ i kësaj shoqate është revista periodike, historike kulturore, emathia. Kjo revistë përveç anëtarësisë së shoqatës mbështetet edhe nga shumë studiues e gjurmues matjanë, nga profesorë të fushës së arkeologjisë, etnologjisë, historisë e folklorit.

Rakip LASKU, historian dhe poet,
nënkryetar i Shoqatës Historike-Kulturore
“Dilaver Kurti”, Mat

Born 19 tetor 1934
Died 28 nentor 1998.

2 works Add another?

Showing all works by author. Would you like to see only ebooks?

  • Cover of: Folklor nga Mati: Botim me rastin e 80-vjetorit të lindjes

    My Reading Lists:

    Create a new list

    Check-In

    ×Close
    Add an optional check-in date. Check-in dates are used to track yearly reading goals.
    Today
  • Cover of: Trashëgime iliro-arbërore: botohet nën kujdesin e familjes

    My Reading Lists:

    Create a new list

    Check-In

    ×Close
    Add an optional check-in date. Check-in dates are used to track yearly reading goals.
    Today

Born 19 tetor 1934
Died 28 nentor 1998.

Lists

ID Numbers

Links outside Open Library

No links yet. Add one?

History

Download catalog record: RDF / JSON
April 12, 2010 Edited by Open Library Bot Added photos to author pages.
August 9, 2009 Edited by 79.106.109.19 Edited without comment.
December 29, 2008 Edited by 74.218.207.65 h
December 7, 2008 Edited by 217.24.240.5 Edited without comment.
April 1, 2008 Created by an anonymous user initial import